Edon Zhegrova mund të përfundojë në Superligën e Turqisë, pasi largimi i tij nga Lille po bëhet gjithnjë e më i mundshëm.
Sulmuesi kosovar ka tërhequr interes të madh pasi kishte një gjysmë sezon mbresëlënës para lëndimit dhe është kthyer në një nga emrat më të kërkuar të merkatos së verës.
Sipas Sporx, Fenerbahçe është klubi më i interesuar për të siguruar shërbimet e Zhegrovës. Nën drejtimin e trajnerit Jose Mourinho, klubi turk ka hyrë në garë për të forcuar repartin ofensivë dhe e sheh 25-vjeçarin si përforcim me vlerë të menjëhershme.
Zhegrova ka spikatur me lojën e tij të shpejtë, teknikën dhe kreativitetin në krahun e djathtë, duke u bërë një ndër lojtarët kyç të Lille gjatë sezonit të fundit. Performanca e tij ka zgjuar interesin jo vetëm në Turqi, por edhe në kampionatin italian.
Napoli dhe Atalanta janë dy skuadra nga Serie A që kanë shprehur interes konkret për reprezentuesin kosovar. Të dy klubet e ndjekin nga afër situatën dhe mund të hyjnë në bisedime nëse Lille vendos të pranojë oferta më të ulëta se kërkesa fillestare.