FC Dukagjini ka fituar Kupën e Kosovës pas një finaleje dramatike dhe të tensionuar ndaj Ferizajt, e cila u mbyll në rrethana të pazakonta pas largimit të skuadrës ferizajase nga fusha në minutat shtesë të takimit.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, me Ferizajn që pati më shumë iniciativë në minutat e para, por pa arritur të krijojë raste të pastra shënimi. Dukagjini, në anën tjetër, u tregua më konkret dhe e shfrytëzoi rastin e parë serioz.
Në minutën e 17-të, Merlaku realizoi një supergol për Dukagjinin, duke e kaluar skuadrën e tij në epërsi 1-0. Numri 10 i klinasve goditi bukur dhe i dha avantazhin ekipit në një moment kur Ferizaj dukej më aktiv në lojë.
Reagimi i Ferizajt erdhi shumë shpejt. Në minutën e 24-t, Kushtrim Shabani shënoi golin e barazimit, duke e çuar rezultatin në 1-1 dhe duke rikthyer ekuilibrin në finale. Pas golit, Ferizaj vazhdoi të kishte më shumë kontroll dhe të kërkonte përmbysjen.
Në pjesën e dytë, finalja u bë edhe më e tensionuar. Dukagjini mbeti me një lojtar më pak nga minuta e 70-të, por pavarësisht inferioritetit numerik, arriti të gjente golin e dytë. Në minutën e 74-t, Hekuran Berisha shënoi për 2-1, duke rikthyer epërsinë për Dukagjinin.
