Drita FC ka njoftuar zyrtarisht përfundimin e bashkëpunimit me kryetrajnerin Zekirija Ramadani, duke i dhënë fund një periudhe më shumë se dyvjeçare e gjysmë të mbushur me suksese dhe arritje të rëndësishme.
Përmes një komunikate, klubi gjilanas ka shprehur mirënjohje të veçantë për punën dhe kontributin e Ramadanit, duke e cilësuar bashkëpunimin si të jashtëzakonshëm dhe duke theksuar se sukseset e arritura së bashku do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së Dritës.
Klubi ka vlerësuar titujt kampion të fituar nën drejtimin e teknikut shkupjan, si dhe paraqitjet e suksesshme në arenën ndërkombëtare, duke i konsideruar ato fryt të një pune të madhe të bërë gjatë kësaj periudhe.
“Ndërprejmë bashkëpunimin me kryetrajnerin Zekirija Ramadani. Klubi ynë shpreh mirënjohjen më të thellë për bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë më shumë se dy vjetëve e gjysmë me trajnerin Ramadani. Bashkëpunimi ynë ishte i jashtëzakonshëm dhe sukseset që arritëm së bashku do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së klubit tonë. Titujt kampion dhe arritjet e jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare janë dëshmi e punës kolosale që kemi bërë së bashku. FC Drita e falënderon Zekën për gjithçka që ka dhënë për klubin tonë, duke besuar se rrugët që ndërtuam së bashku mund të na bashkojnë sërish në një moment tjetër”, shkruan në komunikatën e Dritës.
Në fund të komunikatës, Drita e ka falënderuar Ramadanin për gjithçka që ka dhënë për klubin, duke lënë të hapur mundësinë e një ribashkëpunimi në të ardhmen.
“Suksese dhe paç fat, Zeko!”, thuhet në mesazhin përmbyllës të klubit.