Armando Broja ka shënuar golin e tij të parë me fanellën e Burnley, duke i siguruar skuadrës një pikë të vlefshme në barazimin 1-1 ndaj Bournemouth, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Vitality”.
Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë u inkuadrua në pjesën e dytë si zëvendësues dhe u tregua vendimtar në minutat e fundit të takimit, kur me një goditje me kokë barazoi rezultatin pas një krosi të saktë nga Marcus Edwards, gjithashtu i futur nga stoli.
Pas ndeshjes, Broja u shpreh i kënaqur me golin dhe kontributin e tij për skuadrën.
“Ndihem fantastik, për të qenë i sinqertë. Nuk mund të kishte ardhur në një moment më të mirë. E pashë Markusin duke e çuar topin në krah dhe e dija që ai ka një shpërndarje shumë të mirë dhe një sy për asistime. Sapo e pashë të hynte nga e majta, e dija që duhej të pozicionohesha mirë,” ka deklaruar Broja.
