“Sapun nuk kishte, çarçafët i morëm nga pacientët tjerë” – Pacientja publikon pamje tronditëse nga Pediatria e QKUK-së
Një nënë ka ngritur shqetësime serioze për kushtet në Klinikën e Pediatrisë në QKUK duke përshkruar përvojën e saj gjatë trajtimit të djalit dyvjeçar.
Sipas rrëfimit të saj, fëmija u përball me pritje për pranim, disa tentativa për vendosjen e kanilës, mungesë të hapësirave të përshtatshme dhe rrezik të mundshëm nga kontakti me pacientë që trajtoheshin për sëmundje infektive.
Ajo pretendon se në repart mungonin edhe kushtet elementare të higjienës, si çarçafët e pastër, sapuni dhe privatësia në tualete, ndërsa shprehet se dhomat dhe pajisjet ishin në gjendje jo të mirë.
Reagimi i plotë pa ndërhyrje:
Në mbrojtje të Dante Aligerit
Nuk duhet ta gjykojmë shumë ashpër Dante Aligerin për faktin se Ferri i tij kishte vetëm nëntë rrathë.
Ai shkroi me aq informacion sa kishte në dispozicion.
Pediatrinë e QKUK-së, për shembull, nuk e kishte vizituar.
Po ta kishte vizituar ndoshta sot letërsia botërore do ta njihte edhe rrethin e dhjetë: atë ku nuk përfundon për mëkatet e tua, por thjesht sepse fëmija të është sëmurë dhe ke pasur nevojë për sistemin publik shëndetësor.
Djali ynë, Gjergji, është dy vjeç. Pas disa ditësh me të vjella dhe diarre që zgjati më shumë seç duhej, sot në mëngjes e sollëm në QKUK për kontroll. Pas vlerësimit të mjekut dhe analizave, u vendos që të shtrohej në Pediatri.
Fillimisht pritëm rreth 20 minuta që dikush të vinte të na pranonte. Pastaj, nga fundi i korridorit, u dëgjua një britmë:
“Gjeeeergj! A ka Gjergj këtu? Gjeeeergj Kastrioti?”
U nisëm pas zërit.
Në fund të korridorit gjetëm një zonjë pozitive, me humor, por dukshëm të rraskapitur. Mezi ecte.
Në fakt, ajo pamje ndoshta ishte metafora më e saktë e sistemit që do të njihnim në orët në vazhdim: njerëz që përpiqen ta mbajnë në këmbë diçka që prej kohësh mezi ecën.
Pastaj erdhi koha për t’ia vendosur Gjergjit kanilën.
Një shpim. Pa sukses.
Dy shpime. Pa sukses.
Një fëmijë dyvjeçar, i sëmurë, i dehidratuar, i lodhur dhe i frikësuar, duhej të shpohej disa herë derisa të kryhej me sukses një procedurë bazike.
Dhe unë, si një “Karen” e certifikuar kur bëhet fjalë për fëmijën tim, bëra kërkesën skandaloze që të vinte dikush që mund t’ia vendoste kanilën pa e shpuar fëmijën pafundësisht.
Pastaj filloi procesi i sistemimit.
“A ta çojmë te dhoma X?”
“Jo, se andej janë me fruth.”
“S’di ku…”
Pak diskutim.
Pastaj u gjet zgjidhja:
“Hajt te dhoma X.”
Dhe neve:
“Shkoni në dhomën X. Vetëm keni kujdes të mos keni kontakt me pacientin aty, se mund t’ia ngjitni. S’kemi dhomë tjetër.”
E thjeshtë.
Në një repart ku trajtohen fëmijë me sëmundje infektive, kontrolli i infeksioneve, me sa duket, funksionon mbi parimin “kini kujdes”
Nuk ka nevojë për izolim adekuat. Nuk ka nevojë për protokolle të qarta. Mjafton vigjilenca personale e një dyvjeçari të sëmurë, me kanilë në këmbë dhe e dy prindërve të tij.
Pastaj hymë në dhomë.
Pasi pame dhomën dhe shtratin ku pritej të qëndronte Gjergji, shprehem shqetësimin ta linim aty.
Këtu morëm edhe një leksion të shkurtër mbi prinderimin.
Një infermiere e re na shpjegoi se një nënë, për fëmijën e saj, duhet të jetë në gjendje të qëndrojë edhe zgjuar, edhe ulur në një karrige, gjithë natën.
Faleminderit. Vetëm për këte sqarim kisha nevojë.
Problemi nuk qenka mungesa e kushteve. Problemi qenka se prindërit kanë pritshmëri të tepruara.
Shtrati ku duhej të shtrihej fëmija ynë kishte njolla të shumta. Disa prej tyre dukeshin si gjak apo mbetje të vjetra biologjike.
Nuk e di çfarë ishin. Më mirë të mos e dimë.
Kërkuam çarçaf. Nuk kishte.
Na e dha nëna e pacientit tjetër me të cilin po ndanim dhomën.
Sapun? Nuk kishte.
Faculeta, palloma apo mjete të tjera bazike higjienike?Aq më pak.
Tualeti në korridor është i hapur për të gjithë.
Bukfalisht i hapur.Sepse mungon privatësia elementare. Nuk ka dyer.
Dhe jo, as aty nuk ka sapun.
Në hapësirat sanitare gjen kosha të mëdhenj, rroba të grumbulluara dhe një vaskë që të bën të mendosh se higjiena është më shumë një koncept teorik sesa një praktikë spitalore.
Muret janë të zhveshura e të dëmtuara. Dyshekët të njollosur. Pajisjet mbahen bashkë me lidhëse plastike, shirita dhe improvizime që do të ishin kreative në një punëtori shtëpiake, por bëhen disi më pak simpatike kur janë pjesë e një shtrati spitalor për fëmijë.
Dhe këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm.
Nuk po kërkojmë luks.
Nuk po kërkojmë dhoma private.
Nuk po kërkojmë televizor.
Po kërkojmë pastërti. Po flasim për sapun.Për një çarçaf të pastër. Për një dyshek pa njolla me origjinë të panjohur.
Për një tualet me privatësi elementare.
Për masa bazike të kontrollit të infeksioneve.
Për komunikim profesional me prindërit e një fëmije të sëmurë.
Për MINIMUMIN..
Dhe ndoshta kjo është pjesa më e frikshme e gjithë kësaj, se sa shumë jemi mësuar me të papranueshmen.
Sa lehtë një prindi i thuhet se duhet të durojë, sepse “për fëmijën tënd duhet të jesh në gjendje të rrish edhe gjithë natën në karrige”.
Sigurisht që do të rrija. Do të rrija në dysheme po të ishte e nevojshme.
Por gatishmëria e një nëne për të vuajtur për fëmijën e saj nuk është politikë shëndetësore. Dhe dashuria e prindit nuk mund të përdoret si subvencion për dështimin e sistemit.
Per ironi, ndërkohë që po e shkruaja këtë status, mu desh t’i kërkoja infermieres të vinte t’ia hiqte kanilën Gjergjit.
Më kërkoi të prisja 10-15 minuta, derisa të vinte ndërrimi tjetër, sepse ato “ishin veshur”.
Prita.
Rreth 15–20 minuta më vonë, takova infermieren e ndërrimit tjetër dhe e luta të vinte t’ia hiqte kanilën.
U përgjifj me nervozizëm e plot arrogancë:
“Pse nuk ua kërkove atyre dyjave të ndërrimit të mëparshëm, por më prite mua?”
Qesha.
Dhe ja ku jemi.
Pacienti, mes dy ndërrimeve, si top pingpongu. Secila palë e bindur se problemi duhej të ishte zgjidhur nga pala tjetër. Ndërsa fëmija pret.
Por pikërisht këtu qëndron problemi më i madh.
Ne nuk kemi alternativë.
Dhe kur qytetari nuk ka alternativë, institucioni, me sa duket, nuk ka më nevojë as të turpërohet.
Prandaj, në mbrojtje të Dante Alighierit sepse ai bëri më të mirën që mundi.
Thjesht nuk e kishte vizituar Pediatrinë e QKUK-së.
Ministria e Shëndetësisë
Qendra Klinike Universitare e Kosoves – QKUK