Plot 20 këngë nga Melinda! Këngëtarja lanson albumin e shumëpritur
Melinda Ademi ka lansuar zyrtarisht albumin e saj më të ri të titulluar “Bad Diva”.
Ky projekt madhor, i cili vjen si një dëshmi e punës së palodhshme dhe kreativitetit të saj, është tashmë i disponueshëm në të gjitha platformat muzikore.
Albumi përmban plot 20 këngë të reja, duke sjellë një larmishmëri rrymash dhe mjaft energji.
Përveç këngëve solo ku spikat stili unik i Melindës, “Bad Diva” sjell edhe një listë mbresëlënëse bashkëpunimesh. Për realizimin e këtij albumi, ajo ka bërë bashkë disa nga emrat më të lakuar dhe më të suksesshëm të momentit në tregun vendas, por edhe në atë ndërkombëtar.
Ndër artistët që i janë bashkuar këtij udhëtimi muzikor janë Bardhi, Ronela Hajati, Didine Canon 16, Elinel, Lumi B, Gesko e të tjerë, duke garantuar kështu hite të padiskutueshme për këtë sezon.
Që në orët e para të publikimit, këngët si “Hypnotizu”, “S’jena mo”, “Dance Halla”, “Heke” dhe “Lamborghini” kanë nisur të klikohen masivisht në YouTube dhe platforma të tjera muzikore. Fansat dhe adhuruesit e muzikës e kanë pritur me mjaft entuziazëm këtë rikthim të fuqishëm, duke e cilësuar albumin si një nga projektet më të kompletuara dhe më të suksesshme të karrierës së saj deri më tani.