Presidentja Vjosa Osmani, priti sot në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviq.
Sipas Presidencës, Osmani gjatë takimit diskutoi angazhimin e Kosovës për bashkëpunimin rajonal si hap kyç për avancimin e gjithë rajonit dhe një kontribuues për stabilitet dhe progres.
“Ajo vlerësoi nismat rajonale të cilat po kontribuojnë në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet shteteve fqinje në rajonin tonë, me ç’rast potencoi rëndësinë e mundësive të barabarta pa pengesa procedurale apo politike”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në këtë takim u fol edhe për Procesin e Berlinit, ku Osmani theksoi nevojën për të punuar edhe më shumë në rikthimin e fokusit në tema të interesit të veçantë, siç është zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftërave të fundit në Ballkanin Perëndimor.
“Tutje, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë jetike të investimit në fuqizimin e vajzave dhe grave, duke e cilësuar këtë si një parakusht për rritjen e mirëqenies dhe avancimin e zhvillimit të rajonit. Gjithashtu, Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka konfirmuar rolin e saj konstruktiv në rajon dhe riafirmoi angazhimin për integrimin e plotë në kuadrin rajonal”.