Prej disa ditësh pyjet në Evropën Juglindore janë përfshirë nga flakët dhe situata emergjente ende nuk ka mbaruar. Pak njerëz janë të kërcënuar në këto rajone, por hapësira të gjera peizazhesh natyrore janë shkatërruar.
Gjatë dhjetë ditëve të fundit, shumë zona në Bullgari janë përfshirë nga flakët. Popullsia po njoftohet për zjarret përmes aplikacionit “BG Alert”. Deri tani nuk ka njoftime për të plagosur. Por shumë kanë humbur shtëpitë. Si në fshatin Rani Lug, në Bullgarinë perëndimore, në kufirin me Serbinë, ku thuajse të gjitha shtëpitë u shkatërruan nga flakët.
Ata nuk kishin asnjë mundësi të luftonin flakët, thotë një fshatar: “Ishte ferr!” Gjithçka po digjej, tetë shtëpi përreth nesh u shkatërruan. Zjarrfikësit ishin të mbingarkuan; zjarri ishte mbi tre metra i lartë. Kishte shumë vullnetarë, por çfarë mund të bënin vetëm me lopata dhe dhjetë litra ujë në bombolat e tyre? Fshati u dogj. Shtëpitë u shkatërruan. Gjithçka u dogj”.
Zjarrfikësit të pajisur keq
Ndërkohë situata është qetësuar disi: më shumë se 150 zjarre janë shuar në të gjithë Bullgarinë. Megjithatë dy zjarre të mëdha në jugperëndim të vendit ende nuk janë nën kontroll. Një zjarrfikës vullnetar në Rani Lug beson se zjarret në rajonin e tij mund të rifillojnë në çdo moment dhe beson se ekipi i tij është i pajisur dobët.
“Është tragjedi! Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Kam qenë në të gjitha zjarret, por nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Dhe këtu, do të ketë zjarr edhe për një muaj tjetër.” “Nëse ka ujë, do të luftojmë gjithë natën, pa problem. Por duhet të sjellim ujë nga 15 kilometra larg,” tregon ai.