Pasi Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra” për drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, dhe kontrolleve në banesën e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, në kuadër të hetimeve që lidhen me Ergys Agasin dhe dosjen e AKSHI-t, ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.
Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku tha se zhvillimet e fundit ngrenë dyshime për institucionet e sigurisë dhe kërkoi që Presidenti i Republikës të thërrasë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të sqaruar nëse janë cenuar informacionet shtetërore dhe siguria e qytetarëve.
Ajo theksoi se drejtësia duhet të vijojë hetimet pa ndërhyrje politike, ndërsa kërkoi gjithashtu përgjegjësi politike nga kryeministri Edi Rama për emërimet në institucionet e përfshira në hetime.
Postimi i plotë i Tabakut
Shqipëria është gdhirë sot me raportimet për një masë sigurie ndaj drejtueses së SHISH dhe kontrolle në banesën e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, në kuadër të hetimeve për Ergys Agasin dhe dosjen AKSHI. Një ditë pas spektaklit propagandistik të ministrit të Brendshëm, shqiptarët përballen me dyshime që prekin majat e institucioneve përgjegjëse për sigurinë e tyre.
Kjo është pamja e një sistemi të kalbur që po shkatërron Shqipërinë, pasi ka rrënuar themelet e shtetit. Kur hetimet për një grup të strukturuar kriminal mbërrijnë deri te drejtuesit e institucioneve të sigurisë, pyetja bëhet e pashmangshme: kujt i kanë shërbyer këto institucione? Qytetarëve që duhet të mbronin, apo pushtetit dhe interesave që duhet të hetonin?

