Pas mbylljes së qendrave të votimit, Magyar tha për mediat se është “optimist”, por “i kujdesshëm” për rezultatin zgjedhor.
Pas mbylljes së vendvotimeve, janë publikuar disa sondazhe, dy nga të cilat parashohin fitoren e Magyarit, ndërkaq një atë të Orbanit.
Sipas një sondazhi të Qendrës Kërkimore 21 me seli në Budapest, që është kryer këtë javë dhe është publikuar pas përmbylljes së votimeve, partia proevropiane Tisza e udhëheqësit opozitar, Peter Magyar, pritet të fitojë 55 për qind të votave, ndërkaq koalicioni Fidesz-KDNP pritet të fitojë 38 për qind.
Ndërkaq, sondazhi i Median, po ashtu i kryer para votimeve, thotë se partia e Magyarit do të fitojë 57.1 për qind, apo 135 ulëse në Parlament, dy më shumë se 133 sa kërkohen për shumicën prej dy të tretave.
Por, një sondazh tjetër, i Alapjogokert, që sugjeroi se Orbani do të fitojë mandatin e gjashtë. Sipas këtij sondazhi, partia Fidesz pritet të fitojë 44.5 për qind të votavem ndërkaq Tisza 42 për qind.
Qendrat e votimit u mbyllën në orën 19:00 dhe dalja ishte 77.8 për qind, gjysmë ore para përfundimit të procesit. Kjo shifër shënon rekord të ri, pasi dalja më e lartë më herët ishte regjistruar më 2002 kur kishin votuar 70.5 për qind e votuesve.
Rezultatet paraprake pritet të dalin pak pasi të mbyllen vendvotimet, por nëse gara është e ngushtë, fituesi mund të mos shpallet derisa të përfundojë numërimi i të gjitha votave deri të shtunën e ardhshme, sipas Zyrës Kombëtare Zgjedhore.
Zgjedhjet hungareze po vëzhgohen me kujdes nga Kievi dhe Moska, si dhe nga Bashkimi Evropian, teksa presidenti amerikan, Donald Trump, ka ofruar mbështetje për Orbanin, i cili ka mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë, edhe pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 2022.