Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka lënë të kuptohet se një marrëveshje paqeje me Rusinë për t’i dhënë fund luftës mund të finalizohet brenda kësaj jave. Në një postim në Telegram, ai konfirmoi se zyrtarët ukrainas do të zhvillojnë sot bisedime me Shtetet e Bashkuara për një draft-plan paqeje.
Këto negociata do të pasohen nesër nga një takim virtual i të ashtuquajturit “koalicioni i vullnetarëve” të vendeve evropiane, që po punojnë ngushtë me Kievin për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.
“Jemi në fazën përfundimtare të 20 pikave të një dokumenti themelor që mund të përcaktojë parametrat e përfundimit të luftës, dhe presim t’ua dorëzojmë këtë dokument Shteteve të Bashkuara së shpejti, pas punës së përbashkët me ekipin e presidentit Trump dhe partnerët tanë në Evropë”, shkroi Zelensky, raporton “Metro”, transmeton Klankosova.tv.
Ai shtoi se puna me “Koalicionin e Vullnetarëve” po vijon në mënyrë shumë produktive, me synim garantimin e sigurisë së të ardhmes dhe shmangien e çdo agresioni të ri rus. “Kjo javë mund të sjellë lajme për të gjithë ne dhe t’i japë fund gjakderdhjes”, u shpreh presidenti ukrainas.
