Vdekja e 42-vjeçarit me origjinë marokene, Abderrahim Fakir, gjatë një operacioni policor në qytetin e Bolonjës ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e përdorimit të forcës nga policia dhe përgjegjësisë së autoriteteve ligjzbatuese.
Sipas raportimeve, Fakir humbi jetën pak minuta pasi u neutralizua nga efektivët e policisë. Video të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë momentet e ndërhyrjes, ndërsa autoritetet italiane kanë nisur hetime për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e autopsisë, rezultatet e së cilës pritet të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në Bolonjë, ku mijëra qytetarë dolën në protesta duke kërkuar transparencë dhe drejtësi. Gjatë demonstratave, një pjesë e protestuesve u përplas me forcat e rendit, duke shkaktuar të lënduar mes policëve dhe dëme materiale.
