Italia po përballet prej më shumë se një jave me një valë të rrezikshme të të nxehtit, e cila deri më tani ka shkaktuar të paktën 18 viktima në mbarë vendin. Shumica e të vdekurve janë punonjës që kryenin punë fizike në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës .
Temperaturat ekstreme kanë shkaktuar stres të madh në spitalet italiane, ku janë shtruar kryesisht të moshuar që vuajnë nga goditjet e të nxehtit dhe dehidratimi.
Meteorologët paralajmërojnë se fenomenet e tilla të motit nuk janë përkohëse, por pjesë e një realiteti të ri të shkaktuar nga ndryshimet klimatike.
Ekspertët theksojnë se qytete si Roma dhe Parisi tashmë përjetojnë kushte klimatike të ngjashme me ato të Tunizisë në verë, duke kërkuar masa urgjente dhe të qëndrueshme për mbrojtjen e qytetarëve.