Kriza humanitare në Rripin e Gazës po rëndohet çdo ditë, teksa shifrat e viktimave vazhdojnë të rriten. Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 28 fëmijë po humbin jetën çdo ditë për shkak të bombardimeve izraelite dhe kufizimeve në shpërndarjen e ndihmave humanitare.
“Vdekje nga bombardimet. Vdekje nga kequshqyerja dhe uria. Vdekje nga mungesa e ndihmës dhe shërbimeve jetësore”, tha Fondi i OKB-së për Fëmijë (UNICEF) në një postim në X të martën, raporton Telegrafi duke cituar mediat e huaja. Agjencia theksoi se fëmijët në Gaza kanë nevojë urgjente për ushqim, ujë të pastër, ilaçe dhe mbrojtje, duke shtuar: “Më shumë se çdo gjë tjetër, ata kanë nevojë për një armëpushim, TANI”.
Sipas Al Jazeera, që nga fillimi i ofensivës izraelite, më shumë se 18 mijë fëmijë janë vrarë – që do të thotë një fëmijë çdo orë.
Në total, të paktën 60,933 palestinezë janë vrarë dhe 150,027 të tjerë janë plagosur që nga 7 tetori 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin jugor. Vetëm në 24 orët e fundit, të paktën tetë persona, përfshirë një fëmijë, kanë vdekur nga uria në Gaza. Deri tani, 188 persona, mes tyre 94 fëmijë, kanë humbur jetën nga uria, ndërsa Izraeli vazhdon të bllokojë ndihmat dhe të sulmojë kërkuesit e ndihmave, shkruan Al Jazeera.
