Këshilli Evropian ka publikuar një deklaratë të përbashkët të nënshkruar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri britanik, Keir Starmer, presidenti finlandez Alexander Stubb, kryeministri polak, Donald Tusk, presidenti i Këshillit Evropian António Costa dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Deklarata është lëshuar pas takimit ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin në Alaskë, nga i cili nuk u arrit asnjë marrëveshje për armëpushim apo paqe.
Në deklaratë thuhet se “liderët evropianë i mirëpresin përpjekjet e Trumpit për t’i ndalur vrasjet në Ukrainë, për t’i dhënë fund agresionit të Rusisë dhe për të arritur paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Në deklaratë thuhet se ashtu siç ka thënë vetë presidenti Trump, “nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje”, dhe se hapi i ardhshëm duhet të jetë zhvillimi i bisedimeve të mëtejshme, me përfshirjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, të cilin Trumpi do ta takojë të hënën në Shtëpinë e Bardhë.
Liderët evropianë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me Trumpin dhe Zelenskyn drejt një samiti trepalësh, ku do të marrë pjesë edhe presidenti rus, Vladimir Putin.
Ata kanë theksuar se Ukraina duhet të ketë garanci të forta dhe të pakundërshtueshme të sigurisë për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial në mënyrë efektive.
Njëkohësisht në deklaratë janë mbështetur edhe komentet e mëhershme të Trumpit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të ofrojnë garanci sigurie për Ukrainën.