Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se do të vendosë tarifa prej 25 për qind ndaj Japonisë dhe Koresë së Jugut, duke rritur presionin ndaj dy aleatëve amerikanë dhe dhjetëra ekonomive tjera për të arritur marrëveshje tregtare me Washingtonin.
Trump u ka nisur letra të ngjashme liderëve të Afrikës së Jugut, Malajzisë, Mianmarit, Laosit dhe Kazakistanit, duke thënë se do t’i godasë me tarifa produktet e tyre, prej 25 deri në 40 për qind.
Presidenti ka thënë në fundjavë se duke nisur nga ditë e hënë ai do të dërgojë një mori letrash nëpër shtete të ndryshme për t’i informuar se do t’i zbatojë masat e ashpra që në prill i pati shtyrë për një periudhë kohore.
Në letrat dërguar liderëve të Japonisë dhe Koresë së Jugut, Trump ka thënë se rritja e tarifave do të ndodhë pasi marrëdhëniet tregtare me Uashingtonin, “fatkeqësisht janë larg reciprokes”.
Në letra është thënë se data e fundit për hyrje në fuqi të tarifave është 1 gushti dhe ka paralajmëruar për përshkallëzim të mëtejmë nëse shtetet e përfshira hakmerren me kundërmasa.