Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Ukraina duhet ta “zgjedhë një udhëheqës të ri”, duke e fajësuar presidentin Volodymyr Zelensky për mungesën e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër vendit të tij dhe duke kërkuar që Kievi “t’i ndalë patjetër” sulmet ndaj rafinerive të naftës së Rusisë.
Trump e tha këtë të shtunën natën, disa orë pasi sulmet ruse vranë të paktën 20 persona në qytetin juglindor të Zaporizhjas, si dhe një ditë pasi ai njoftoi se kishte arritur marrëveshje me presidentin rus, Vladimir Putin, për t’ia mundësuar Rusisë eksportimin e karburantit dizel në tregjet globale.
Këto ishin fjalët më të ashpra të Trumpit ndaj Zelenskyt qëkurse ata i përmirësuan marrëdhëniet pas një takimi tejet të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë, në shkurt të vitit 2025.
“Zelensky mund ta kishte zgjidhur këtë luftë shumë herë, shumë e shumë herë, por ai zgjedh të mos e bëjë këtë. Është shumë e vështirë”, u tha Trump gazetarëve në Uashington, duke i sugjeruar Ukrainës ta “zgjedhë një udhëheqës të ri që mund të arrijë marrëveshje”.
Putini nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, tetë vjet pasi Rusia e pushtoi Krimenë dhe nxiti luftë në rajonin lindor të njohur si Donbas.
Trump përsëriti pretendimin e tij se lufta në shkallë të gjerë nuk do të kishte nisur po të kishte qenë ai në pushtet.
“Kjo është një luftë që nuk duhej të kishte nisur kurrë dhe mendoj se ka ardhur koha që Ukraina të ketë një president të ri”, tha ai.
Zelensky u zgjodh për një mandat pesëvjeçar në vitin 2019, por vazhdon të qëndrojë në detyrë, pasi zgjedhjet janë të ndaluara nën ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme, i cili u vendos në fillim të pushtimit në shkallë të plotë dhe është zgjatur vazhdimisht.
Putini e ka shfrytëzuar mungesën e zgjedhjeve për të pretenduar se Zelensky nuk është udhëheqës legjitim.
Trumpi e bëri përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës prioritet kur u rikthye si president në janar të vitit 2025.
Megjithatë, Kievi dhe Moska vazhdojnë të kenë mospajtime të mëdha në qëndrime gjatë bisedimeve. Kremlini nuk po ofron lëshime, i ka kundërshtuar vazhdimisht thirrjet për armëpushim të plotë dhe vazhdon të këmbëngulë në kërkesat e tij, përfshirë zotërimin e një pjese të Donbasit që nuk ka arritur ta pushtojë në fushëbetejë.
Deklaratat e Trumpit erdhën pasi Zelensky kritikoi e marrëveshjen e tij me Putinin për lehtësimin e përkohshëm të kufizimeve ndaj eksporteve ruse të karburantit dizel, duke e cilësuar atë si “të dobët” dhe si një “dhuratë” për Kremlinin, që vetëm sa do të nxiste sulme të mëtejshme.
Ai paralajmëroi se kjo marrëveshje do t’i mundësonte Rusisë të fitonte më shumë nga eksportet e karburanteve dhe mund të ndihmonte më tej në financimin e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.
Përveç ofensivës në fushëbetejë në lindje dhe jug të Ukrainës, Rusia ka bombarduar vazhdimisht infrastrukturën energjetike dhe atë civile të vendit, duke lënë mijëra njerëz pa ngrohje ose energji elektrike, edhe në kohën kur temperaturat gjatë dimrit bien nën zero.




