Bilanci i viktimave nga ngjarja e rëndë në Roskovec është rënduar, pasi Bejlere Plaku e cila u qëllua nga ish-dhëndri mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë.
Në orët e para të së premtes, Refit Buzi shkoi në banesën e ish-partneres, Rozalina Plaku, dhe hapi zjarr me armë gjahu ndaj familjarëve të saj, duke i vrarë babanë, Kosta Plaku, dhe plagosur rëndë nënën, Bejlere Plaku, e cila ndërroi jetë në spital nga plagët e rënda.
Përfunduan në mënyrë tragjike negociatat e forcave RENEA me 35-vjeçarin Refit Buzi, i cili i dha fund jetës pas më shumë se 7 orësh rezistence brenda makinës së tij, duke e çuar në tre numrin e viktimave nga ngjarja tragjike në fshatin Vidhishtë të Roskovecit.
35-vjeçari Refit Buzi, i njohur edhe me emrin Nertil Buzi, qëlloi veten me armë zjarri brenda mjetit, në fshatin Cerven, ku ndaloi pas vrasjes së ish-vjehrrit. Ai nuk pranoi të dorëzohej te RENEA, që negociuan për disa orë me radhë, duke rrethuar zonën me snajperë e forca të shumta.
Krimi i rëndë ndodhi rreth orës 06.00 të mëngjesit në banesën e familjes Plaku, ku 35-vjeçari mori peng përmes forcës edhe ish-të fejuarën e tij 24 vjeçaren, Rozalina Plaku.
