Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin Bagheria të Siçilisë, ku Simona China, 20 vjeçe, u gjet pa jetë në pishinën e një vile private gjatë një feste diplomimi. Ngjarja ndodhi të premten në mbrëmje dhe ka lënë të shokuar komunitetin vendas, ku Simona ishte e njohur si një sportiste e dashur dhe aktive në volejboll, pjesë e ekipit ACDS Capacense deri vitin e kaluar.
Presidenti i klubit, Paolo Di Maggio, e kujtoi me lot në sy: “Ishte një vajzë e qeshur, e përkushtuar dhe shumë e dashur nga të gjithë. Ajo e donte volejbollin dhe i mësonte edhe fëmijët e vegjël. Nuk e besojmë që nuk është më.”
Sipas raportimeve paraprake, dyshohet se Simona ra aksidentalisht në pishinë dhe nuk arriti të dilte. Por familja ka ngritur dyshime serioze për rrethanat e vdekjes. Avokati i tyre, Gabriele Giambrone, theksoi se askush nuk e vuri re trupin në ujë për një kohë të gjatë, pavarësisht se pishina ishte e vogël dhe festa po zhvillohej me dhjetëra të ftuar.
“Pozicioni i trupit nuk përputhet me një rënie të thjeshtë,” tha Giambrone, duke shtuar se prindërit nuk u njoftuan nga organizatorët, por nga një telefonatë e rastësishme ku një person i panjohur u tha vetëm: “Simona nuk është mirë.”
