Deri në 4,000 akullnaja në vit mund të zhduken si pasojë e ndryshimeve klimatike, paralajmërojnë studiuesit zviceranë në një studim të ri të publikuar të hënën. Ata vlerësojnë se të paktën gjysma e akullnajave të botës nuk do të ekzistojnë më deri në fund të shekullit.
Tërheqja e akullnajave është më shumë sesa thjesht një problem i shkencës natyrore, thonë studiuesit në studimin e tyre, të botuar në revistën Nature Climate Change, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.
“Çdo akullnajë mund të jetë vendimtare në nivel lokal; mund të jetë një monument kulturor, një destinacion i rëndësishëm turistik ose simbol i një identiteti rajonal”, tha autori kryesor i studimit, Lander Van Tricht, nga instituti federal zviceran i teknologjisë ETH Zurich.
Edhe zhdukja e një akullnaje të vogël me një kontribut të ulët të shkrirjes së akullnajave mund të ketë pasoja të mëdha. Ndryshe nga studimet e mëparshme, ishte e rëndësishme jo vetëm të analizohej vëllimi i akullnajave dhe sipërfaqja që ato mbulojnë, por edhe të përqendrohej në numrin e tyre.
Katër nga pesë akullnajat zhduken
Për studimin e tyre të ri, studiuesit ngritën pyetjen e mëposhtme: sa nga mbi 200,000 akullnajat në të gjithë botën do të ekzistojnë në të ardhmen?
Përgjigja varet nga shkalla e ngrohjes globale. Nëse planeti ngrohet me 2.7° gradë Celsius – vlerësimi aktual i ngrohjes globale bazuar në matjet e klimës – katër nga pesë akullnajat e botës do të zhduken.
Nëse ngrohja do të kufizohej në 1.5°C – siç parashikohet në marrëveshjen e klimës së Parisit – gjysma e akullnajave aktuale do të ruheshin. Në skenarin më të keq, me ngrohjen globale prej 4°C, vetëm një në dhjetë akullnaja do të mbetej deri në fund të shekullit.
