Të paktën 28 palestinezë, mes tyre katër fëmijë dhe dy gra, janë vrarë të shtunën si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës, ka raportuar agjencia Associated Press.
Sipas zyrtarëve shëndetësorë në Spitalin e Martirëve Al-Aqsa, 13 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë në Deir al-Balah – pjesa qendrore e Gazës – pas bombardimeve të rënda që filluan të premten në mbrëmje.
Katër persona të tjerë u vranë afër një stacioni të karburantit, ndërsa 15 të tjerë humbën jetën në Khan Younis, në jug të Gazës, sipas njoftimit nga Spitali Nasser.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite ka njoftuar se gjatë 48 orëve të fundit ka goditur rreth 250 objektiva në të gjithë Rripin e Gazës. Sipas tyre, në shënjestër kanë qenë militantë, depo armësh, pozicione për lëshimin e raketave antitank, poste snajperësh, tunele dhe infrastrukturë tjetër që i përket Hamasit.