Oficerë të armatosur suedezë u nisën të mërkurën drejt Grenlandës me kërkesë të Danimarkës, njoftoi kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson.
Nuk është e qartë se sa oficerë do të dërgojë Stokholmi, por kryeministri suedez tha se ata janë pjesë e një grupi që përbëhet nga pjesëtarë të forcave të vendeve aleate, raporton televizioni BBC .
“Së bashku, ata do të përgatiten për elementet në ardhje brenda kornizës së ushtrimit danez, Operacioni Qëndresa Arktike” – tha Kristerssoni në një deklaratë të publikuar në internet.
Ditëve të fundit, Suedia i ka dalë në mbrojtje vendit fqinj, Danimarkës, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i përtëriu planet për ta marrë nën kontroll Grenlandën, territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës.
