Jack Smith ka filluar dëshminë e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë e dua vendin tim dhe besoj thellësisht në parimet themelore mbi të cilat është themeluar”, tha ai. “Kam ndjekur penalisht korrupsionin publik dhe krimet zgjedhore në të gjithë Shtetet e Bashkuara, dhe kam ndjekur penalisht krimet e luftës jashtë vendit. Unë nuk jam politikan dhe nuk kam besnikëri partiake”, u shpreh tutje ai, raporton BBC.
Siç pritej, Smithi po mbron hetimet e tij ndaj presidentit amerikan, Donald Trump.
Ai paraqiti çështjet kundër Trumpit, të cilat ai i ndoqi penalisht, por i hoqi pas rizgjedhjes së presidentit.
Duke iu referuar çështjes së ndërhyrjes në zgjedhjet e vitit 2020, ish-këshilltari special tha se Trump “u përfshi në një skemë kriminale për të përmbysur rezultatet dhe për të parandaluar transferimin e ligjshëm të pushtetit”.
Lidhur me çështjen e dokumenteve të klasifikuara të veçanta, Smith shtoi se Trump “u përpoq vazhdimisht të pengonte drejtësinë për të fshehur mbajtjen e vazhdueshme të këtyre dokumenteve”.
Ai tha se i qëndron vendimit të tij për të hetuar ‘keqbërjet’ e Trumpit dhe mbrojti ekipin me të cilin punoi.
Një çështje që ka zemëruar disa republikanë është hetimi i Smith për nxjerrjen e të dhënave telefonike që lidhen me disa ligjvënës. Ai më parë ka thënë se të dhënat nuk përfshinin përmbajtjen e thirrjeve ose mesazheve, por regjistronin kur filloi dhe u ndal një telefonatë, dhe kush e mori atë.
