Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e ka shmangur vendosjen e një afati për bisedimet e tërthorta që nisën të hënën në Egjipt mes Izraelit dhe Hamasit për arritjen e një marrëveshjeje për propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
“Ka bisedime teknike që po ndodhin mu tani në Egjipt mes emisarit të posaçëm Witkoff dhe z. Kushner si dhe palëve përkatëse nga të gjitha palët” – tha zonja Leavit në një konferencë për gazetarë, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Megjithatë, një diplomat arab i tha këtij mediumi se edhe pse Witkoff dhe Kushner ndodhen në Egjpit, ata do të bëhen personalisht pjesë e bisedimeve, kur ato të jenë gati për t’u finalizuar.
Dita e parë e bisedimeve pritet të shfrytëzohet kryesisht për t’u lejuar plaëve që t’i paraqesin pozicionet e tyre dhe që ndërmjetësit t’i identifikojnë dallimet e mbetura dhe si t’i mbyllin ato, tha diplomati.
