Një operacion i përbashkët i autoriteteve nga gjashtë vende evropiane, i koordinuar nga Eurojust dhe Europol, ka goditur një nga grupet më të mëdha kriminale të trafikut të objekteve historike në kontinent.
Sipas agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale, gjatë operacionit janë arrestuar 35 persona dhe janë kontrolluar mbi 125 lokacione, ku u sekuestruan më shumë se 3000 artefakte me vlerë mbi 100 milionë euro. Vlera e përgjithshme e objekteve të dyshuara të trafikuara nga ky grup arrin 870 milionë euro.
Operacioni u zhvillua më 19 nëntor dhe përfshiu edhe Shqipërinë, ku SPAK bashkëpunoi me autoritetet evropiane për ekzekutimin e urdhrave të hetimit dhe kontrollit të disa lokacioneve të dyshuara. Kontrolli u krye paralelisht edhe në Bullgari, Francë, Gjermani dhe Greqi.
Sipas EUROJUST, gjatë aksionit u sekuestruan mbi 3000 objekte, duke përfshirë monedha antike ari dhe argjendi, vepra arti dhe antikitete të tjera. Përveç tyre, autoritetet konfiskuan dokumente, pajisje elektronike, mbi 50 mijë dollarë në para të gatshme dhe ar për investime.
