Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë shpallur degët e Vëllazërisë Myslimane në Egjipt, Liban dhe Jordani si organizata “terroriste”, njoftoi administrata e presidentit Donald Trump, teksa Uashingtoni po intensifikon veprimet kundër grupeve që i konsideron si rivalë të Izraelit në nivel global.
Vendimi u mor të martën, disa javë pasi presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që udhëzonte administratën të niste procesin e futjes së këtyre grupeve në listën e zezë, raporton “Al Jazeera”.
Departamenti amerikan i Thesarit i shpalli degët në Jordani dhe Egjipt si “terroristë globalë të përcaktuar posaçërisht”, ndërsa Departamenti i Shtetit e futi organizatën libaneze në listë me një përcaktim më të rëndë, duke e cilësuar si “organizatë terroriste e huaj” (FTO).
Administrata Trump tha se arsyeja kryesore e këtij vendimi lidhet me mbështetjen e supozuar të Vëllazërisë Myslimane për grupin palestinez Hamas dhe me, siç u tha, “aktivitetet kundër interesave izraelite në Lindjen e Mesme”.
