Diplomati më i lartë i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Marco Rubio, u nis për në Izrael të shtunën, mes tensioneve me aleatët e tjerë të SHBA-së në Lindjen e Mesme për shkak të sulmit të Izraelit ndaj udhëheqësve të Hamasit në Katar dhe zgjerimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Duke folur me gazetarët para nisjes, Rubio përsëriti se ShBA-ja dhe presidenti Donald Trump nuk ishin të kënaqur me sulmet.
Rubio tha se marrëdhënia e ShBA-së me Izraelin nuk do të preket, por se ai do të diskutojë me izraelitët se si sulmi do të ndikojë në dëshirën e Trumpit për të siguruar kthimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi, për të hequr qafe militantët dhe për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
“Çfarë ka ndodhur, ka ndodhur”, tha ai. “Do të takohemi me ta. Do të flasim për atë që na pret e ardhmja”, tha ai.
