Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë bisedime me Iranin dhe se ekziston mundësia që një marrëveshje për programin bërthamor iranian të arrihet në një të ardhme të afërt.
Duke folur para Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit amerikan, Rubio tha se Teherani po tregon gatishmëri për të negociuar disa aspekte të programit të tij bërthamor, ndryshe nga një vit më parë kur refuzonte çdo diskutim.
“Ekziston mundësia që Irani të ketë pranuar të negociojë për disa pjesë të programit të tij bërthamor. Një vit më parë, regjimi iranian nuk ishte i gatshëm ta bënte këtë”, u shpreh ai.
Sipas Rubios, një marrëveshje mund të arrihet “sot, nesër ose javën e ardhshme”, megjithëse ai theksoi se nuk mund të garantojë se rezultati përfundimtar do të pranohet nga Senati apo opinioni publik amerikan.
Hormuzi, kushti kryesor i Uashingtonit
Kryediplomati amerikan nënvizoi se hapja e Ngushticës së Hormuzit është kushti i parë dhe më i rëndësishëm për përparimin e negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Ai sqaroi se Irani duhet të garantojë se nuk do të sulmojë më anijet që kalojnë në këtë rrugë strategjike detare, nuk do të vendosë tarifa kalimi dhe do të ndihmojë në pastrimin e minave detare.
