Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar në Facebook pamje dhe detaje nga një takim me një grup studentësh, të cilin e ka cilësuar si një dialog inkurajues me të rinj që besojnë te protesta dhe jo te dhuna.
Rama ka bërë dy postime lidhur me këtë takim, njëri prej të cilëve u publikua mbrëmjen e së premtes, ndërsa tjetri mëngjesin e sotëm.
Në postimin e parë, kreu i qeverisë shqiptare e përshkroi bisedën si një “dialog inkurajues me studentë që besojnë te protesta, jo te gurët”. Ai shtoi se, ndonëse në mënyrë të papritur, kishte gjetur pajtim me ta për një pjesë të konsiderueshme të shqetësimeve të ngritura, duke e përmbyllur mesazhin me shënimin “Vijon…”.
Ndërkaq, në postimin e dytë, Rama publikoi një videokartolinë nga takimi, duke bërë të ditur se me studentët ishte dakorduar që, për momentin, të mos bëhej publik debati i zhvilluar mes tyre, por vetëm pamjet nga biseda.




