Disa dhjetëra persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në një shpërthim dhe zjarr që shpërtheu gjatë natës në një bar në resortin e famshëm zviceran të skive Crans-Montana, ka konfirmuar policia.
Numri i saktë i të vdekurve nuk është konfirmuar ende.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 1:30 të mëngjesit sipas orës lokale në barin Le Constellation dhe shkaku nuk dihet ende, raporton BBC.
Në një deklaratë për mediat, policia konfirmoi se shpërthimi ndodhi ndërsa në bar po zhvilloheshin festimet e Vitit të Ri.
Shefi i policisë së kantonit Valais, Frédéric Gisler, tha në një konferencë për shtyp se tragjedia ishte e një shkalle që rrallë shihet, ndërsa presidenti i qeverisë kantonale, Mathias Reynard, tha se ishte një tragjedi e madhe që ndodhi gjatë një mbrëmjeje të menduar për festime. “Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre”, tha Reynard, duke shtuar se mendimet e autoriteteve janë gjithashtu me ata që u plagosën rëndë.
Kryeprokurori i shtetit i kantonit Valais konfirmoi se ka nisur një hetim për shkakun e zjarrit. Instituti i Mjekësisë Ligjore nga Cyrihu po ndihmon autoritetet kantonale në hetim, dhe një pjesë e procedurës lidhet edhe me identifikimin e personave të vdekur.
Autoritetet falënderuan të gjithë anëtarët e shërbimeve të emergjencës që morën pjesë në shpëtimin dhe trajtimin e vështirë të një numri të madh viktimash, ndërsa informacione të reja mbi gjendjen shëndetësore të të lënduarve do të publikohen gjatë ditës.