Në disa qytete të Serbisë edhe sonte janë mbajtur protesta antiqeveritare. As sonte nuk ka munguar përleshja mes demonstruesve dhe mbështetësve të pushtetit, të udhëhequr nga Partia Progresive Serbe (SNS), partia e presidentit të këtij vendi, Aleksandar Vuçiq.
Protestat zhvillohen në Beograd, Novi Sad, Nish, Kragujevac dhe disa qytete të tjera në gjithë vendin.
Një nga vendet e protestës është Novi Beogradi, ku është pezulluar qarkullimi i trafikut, ndërsa në Novi Sad po mbahet një marsh protestues, në të cilin, siç raportoi N1, marrin pjesë shumë qytetarë.
Në Novi Beograd situata është e tensionuar, pasi demonstruesit janë ndaluar nga një kordoni policor, pas të cilit ndodhen mbështetës të pushtetit. Ndërkohë, Vuçiq po i drejtohet mbështetësve të tij në rrugën Kneza Milosh.