Pas një operacioni të gjatë dhe tejet të vështirë shpëtimi, ekipet e emergjencës arritën të nxjerrin të gjallë një roje sigurie 43-vjeçar, i cili kishte mbetur i bllokuar nën rrënojat e një qendre tregtare që u shemb nga tërmetet shkatërruese në Venezuelë.
Hernan Alberto Gil Flores u shpëtua në orët e para të mëngjesit të së enjtes, pasi kishte qëndruar i bllokuar që nga 24 qershori në bodrumin e qendrës tregtare “Galerias Playa Grande”, në qytetin bregdetar të La Guaira. Ekipet e shpëtimit kishin arritur të vendosnin kontakt me të që gjatë fundjavës, shkruan AFP
Momenti i shpëtimit u shoqërua me emocione të forta. Ekipet ndërkombëtare të kërkim-shpëtimit, që mbanin flamujt e vendeve të tyre, shpërthyen në duartrokitje dhe brohoritje, ndërsa Gil Flores u transportua me barelë, i mbuluar me një mbulesë portokalli, drejt një ambulance të Kryqit të Kuq. Pjesëtarët e ekipit të Kryqit të Kuq të Kosta Rikës u përqafuan mes lotësh dhe buzëqeshjesh, duke festuar suksesin e operacionit.
