Pesë orë bisedime midis presidentit rus, Vladimir Putin, dhe negociatorit të lartë të presidentit amerikan, Donald Trump, duket se nuk kanë arritur të sjellin ndonjë përparim në sigurimin e një marrëveshjeje paqeje – për Ukrainën.
Një zëdhënës i Kremlinit tha se takimi në Moskë ishte “konstruktiv”, por pjesë të planit mbetën të papranueshme për Rusinë, shkruan BBC.
I dërguari special i Trumpit, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, morën pjesë në bisedime pas disa javësh diplomacie intensive që synonin përfundimin e luftës.
Ekipi amerikan nuk ka komentuar takimin, që kur është larguar nga Moska.
Më herët të martën, Putin tha se ndryshimet e propozuara nga Kievi dhe Evropa, në një plan paqeje të mbështetur nga SHBA-ja, ishin të papranueshme, duke shtuar se nëse Evropa “dëshiron të shkojë në luftë dhe e fillon një të tillë, ne jemi gati tani”.
