Dhimbja e mijëra familjeve shqiptare që u ndanë me vite të tëra nga emigrimi i detyruar po dëgjohet sot në zemër të Zvicrës. Një rrëfim prekës për sakrificën, vetminë dhe plagët e heshtura të punëtorëve sezonalë nga Kosova ka arritur të nominohet për Çmimin e Gazetarisë së Zurichut, vlerësimi më prestigjioz në gazetarinë zvicerane.
Gazetarja Tugba Ayaz është nominuar zyrtarisht me shkrimin “Një gjuhë për dhimbjen” (“Eine Sprache für den Schmerz” ), ku rrëfen historinë e dhimbshme të Nazmi Kadriu dhe familjes së tij, një histori që përfaqëson fatin e mijëra shqiptarëve të Kosovës në vitet e 90-ta.
Artikulli është përzgjedhur në mesin e nëntë punimeve më të mira të vitit në Zvicër, ndërsa tre fituesit do të shpërblehen me nga 10 mijë franga zvicerane. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 12 maj 2026 në lokalin e njohur të eventeve Kaufleuten në Zurich, transmeton Klankosova.tv.
Shkrimi i Ayaz u publikua më 15 shkurt 2025 në platformën zvicerane Republik, dhe trajton dramën njerëzore të punëtorëve sezonalë, të cilët për dekada u detyruan të jetonin larg familjeve të tyre.
Në qendër të rrëfimit është historia e Nazmi Kadriut, sot 75 vjeç, i cili në vitin 1990 u largua nga Kosova pasi humbi punën në minierë. Ai përfundoi duke punuar në një fermë në kantonin Jura të Zvicrës, për vetëm 1200 franga në muaj, deri në 12 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë.
Statusi i punëtorit sezonal, i cili ekzistonte në Zvicër që nga viti 1934, ua ndalonte rreptësisht punëtorëve të merrnin familjet me vete. Për pesë vite me radhë, Nazmiu jetoi i ndarë nga bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij në Prishtinë, ndërsa ata përballeshin me varfërinë, frikën dhe represionin e regjimit serb.
Në reportazh përshkruhen momentet e rënda të jetës së tij në Zvicër. Ai kujton se uria ishte më e rëndë sesa puna fizike, pasi fermeri ankoheshte se “jugosllavët dhe italianët hanin shumë”, duke e detyruar shpesh të mbijetonte me mollë të papjekura që i gjente në fusha.
