Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mali i Zi po nisin negociatat për arritjen e një marrëveshje dypalëshe që ka për qëllim forcimin e lidhjeve tregtare, investuese dhe ekonomike, njoftoi Ambasada amerikane në Podgoricë më 10 dhjetor.
Negociatat do të zhvillohen në kuadër të Dialogut Ekonomik SHBA-Mali i Zi 2025.
“SHBA-ja njihet globalisht për inovacionin dhe besueshmërinë ekonomike, ndërsa kompanitë amerikane po tregojnë interes gjithnjë e më të madh për mundësitë e biznesit në ekonominë në rritje të Malit të Zi”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Sipas saj, qëllimi i këtyre negociatave është të nxisin investime më të mëdha të sektorit privat amerikan për të krijuar vende të reja pune në SHBA dhe në Mal të Zi, të forcojnë rolin e Malit të Zi si aleat i NATO-s dhe të hapin mundësi të reja për prosperitetin e SHBA-së, Malit të Zi dhe rajonit më të gjerë.
Në nëntë muajt e fundit, Mali i Zi ka nënshkruar katër marrëveshje ndërshtetërore, me Francën, Hungarinë dhe dy me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Të gjitha këto kanë karakter ndërshtetëror që lejon përzgjedhjen e kontraktorëve pa tenderë publikë.
Marko Soshiq nga Instituti Alternativa, më herët ka deklaruar se ky ritëm i nënshkrimit të marrëveshjeve është rezultat i detyrimit të Qeverisë që të gjithë marrëveshjet ndërshtetërore të Malit të Zi, nga 26 dhjetori, duhet të harmonizohen me rregullat e Bashkimit Evropian në fushën e prokurimit publik.
Kjo është një pikë nga agjenda e reformave në negociatat e anëtarësimit të Malit të Zi me BE-në.
Marrëveshjet me Emiratet kanë të bëjnë me turizmin, pasuritë e paluajtshme, energjinë dhe teknologjitë digjitale. Marrëveshja me Hungarinë fokusohet tek infrastruktura e transportit, digjitale dhe teknologjisë informative. Ndërsa ajo me Francën është një kombinim i projekteve infrastrukturore, energjetike dhe digjitale.
Qeveria e Malit të Zi thotë se bëhet fjalë për partneritete strategjike për “zhvillim më të shpejtë dhe tërheqje investimesh” që duhet të ulin burokracinë dhe të rrisin efikasitetin.
