Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar të dielën se vendi i tij do të bëjë “gjithçka që është e nevojshme” për ta parandaluar rigrupimin e Hezbollahut në Liban dhe Hamasit në Rripin e Gazës.
Gjatë javës së kaluar Izraeli ka goditur disa shënjestra në Libanin fqinj, ndërsa ushtria izraelite tha të shtunën se goditi raketahedhës dhe caqe ushtarake të Hezbollahut.
Agjencia e mbrojtjes civile në Gazë tha se 21 njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në disa sulme ajrore izraelite të shtunën.
Hamasi – grupi palestinez i shpallur terrorist nga SHBA dhe fuqi të tjera – Izraeli shkëmbyen sërish akuza për shkeljen e armëpushimit të brishtë që është në fuqi që nga 10 tetori.
“Ne po vazhdojmë ta godasim terrorizmin në disa fronte”, tha Netanyahu në hapje të mbledhjes së kabinetit të tij qeveritar të dielën.
“Këtë fundjavë, IDF-ja [ushtria izraelite] goditi në Liban, dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta penguar Hezbollahun ta rikthejë aftësinë e tij kërcënuese ndaj nesh”.
“Këtë po e bëjmë edhe në Rripin e Gazës. Që prej armëpushimit, Hamasi nuk ka ndaluar së shkeluri atë, dhe ne po veprojmë në përputhje me rrethanat”, tha Netanyahu.
E shtuna ishte një nga ditët më vdekjeprurëse qëkurse armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA mes Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi, pas dy vjetëve luftë.
