Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se, për shkak të mësimeve të marra gjatë luftimeve gjatë dy viteve të fundit, vendi i tij është duke punuar për të siguruar sa më shumë pavarësi që është e mundshme në prodhimin e armëve.
“Bashkë me ministrin e Mbrojtjes dhe ministrin e Financave, unë miratova një shumë prej 350 miliardë shekelësh [rreth 109 miliardë dollarë] për dekadën e ardhshme për të ndërtuar një industri të pavarur izraelite të municioneve” – tha Netanyahu në ceremoninë e diplomimit të pilotëve të Forcës Ajrore të Izraelit, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
“Ne duam që ta zvogëlojmë varësinë tonë nga të gjithë lojtarët, përfshirë miqtë” – shtoi ai, pasi disa vende aleate, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, vendosën kufizime të ndryshme ndaj shitjes së armëve Izraelit nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023. Prapëseprapë, shumë shtete përreth botës, përfshirë Gjermaninë, “duan të blejnë nga ne gjithnjë e më shumë sisteme [armësh]”, tha Netanyahu.
Në një referencë të tërthortë por mjaft të qartë ndaj kërkesës së Turqisë për të siguruar aeroplanë luftarakë F-35 nga Shtetet e Bashkuara, Netanyahu tha se Izraeli “do ta parandalojë këdo që duhet të parandalohet nga pranimi i këtyre instrumenteve”.
