Është zbardhur dëshmia e autorit të dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë.
Autori Kristjan Sterjo, i cili u kap pas rreth 6 orësh arrati, ka dhënë dëshminë e tij përpara grupit hetimor lidhur me motivin e ngjarjes së rëndë. Sipas dëshmisë së tij, konflikti mes dy të rinjve lidhej me disa episode të mëparshme, ndërsa një nga shkaqet që dyshohet se ka çuar në përshkallëzimin e situatës ka qenë ngacmimi i të dashurës së autorit të dyshuar.
Por, krahas këtij konflikti, hetuesit po marrin në konsideratë edhe përplasjet e mëparshme mes dy të rinjve, të cilët dyshohet se kishin pasur debate për shkak të pretendimeve se kush ishte “më i forti” i lagjes. Sipas të dhënave të deritanishme nga hetimi, autori i dyshuar dhe viktima ishin konfliktuar verbalisht disa ditë përpara ngjarjes. Dyshohet se të dy palët kishin pasur përplasje dhe ngacmime ndaj njëri-tjetrit, duke bërë që marrëdhënia mes tyre të përshkallëzohej.
Situata më pas do të merrte një tjetër përmasë. Sipas dëshmisë së autorit, ditën e ngjarjes ai ka marrë armën dhe ka shkuar në ndjekje të 20-vjeçarit, ndërsa e ka qëlluar me një plumb pas shpine, që rezultoi fatal për jetën e Johan Zukos, raporton TCH.

