Kancelari gjerman Friedrich Merz ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës, pas raportimeve se numri i viktimave në enklavë ka kaluar 58,000 persona.
Merz ka paralajmëruar se qasja aktuale e Izraelit në luftën kundër Hamasit “nuk është më e pranueshme”, duke theksuar se kjo nuk e arsyeton vuajtjen masive të civilëve palestinezë.
“Është e qartë se ku jemi. Ne po bëjmë gjithçka mundemi për të qenë të drejtë ndaj të dyja palëve,” – ka deklaruar Merz, duke theksuar se Gjermania do të vazhdojë të ruajë balancën mes mbështetjes për sigurinë e Izraelit dhe të drejtave të popullit palestinez.
Ai ka bërë të ditur se Gjermania është e gatshme të rrisë ndihmën humanitare direkte për Gazën, ndërkohë që ka kritikuar ashpër vendimin e Izraelit për të dëbuar organizatat ndërkombëtare të ndihmës dhe për të lejuar vetëm Fondacionin Humanitar të Gazës (GHF) të veprojë në terren.
Ky fondacion, i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, është cilësuar nga kritikët si një “kurth cinik vdekjeprurës” për banorët që kërkojnë ndihmë.