Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, njoftoi këtë javë se ish-gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Louise Arbour, do të jetë Guvernatorja e ardhshme e Përgjithshme nga korriku.
Arbour, 79-vjeçe, është një nga ekspertët më të mirë ligjorë të kohës së saj dhe do të zëvendësojë Mary Simon që po pensionohet, dhe që ishte guvernatorja e përgjithshme e parë indigjene. Mandati i saj pesëvjeçar përfundon së shpejti, raporton media kanadeze “cbc”
“Louise Arbour do të përfaqësojë më të mirën e Kanadasë për kanadezët dhe botën”, tha Carney në një konferencë për media në Otavë, të martën e kësaj jave.
Por, kush është Louise Arbour?
Arbour, e lindur në Montreal, është avokate e njohur, prokurore dhe ish-juriste e Gjykatës Supreme të Kanadasë, pos roleve tjera.
Ajo ndihmoi në ndjekjen penale të krimeve të luftës si kryeprokurore e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ruandën dhe e Tirubalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në të ’90-tat.
Ajo ka shërbyer edhe si Komisionere e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe ka ndihmuar në mbajtjen përgjegjës të shteteve për shkelje të të drejtave të njeriut.
Me rastin e emërimit të saj si guvernatorja e 31-të e përgjithshme e Kanadasë, ajo foli për rëndësinë e rolit.
