Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë të martën se Moska është duke komunikuar me Shtetet e Bashkuara lidhur me Ballkanin dhe se është e gatshme t’i zhvillojë ato kontakte.
“Ne kemi më shumë mundësi të komunikojmë me Shtetet e Bashkuara [sesa me Bashkimin Evropian] lidhur me Ballkanin, kur bëhet fjalë për Bosnje-Hercegovinën dhe shtetet tjera në rajon. Këto kontakte po vazhdojnë. Nuk kanë rezultuar ende me ndonjë rezultat pozitiv apo diçka tjetër. Por, ne jemi të hapur për kontakte të tilla, dhe për sa mund të gjykoj, edhe kolegët tanë amerikanë kanë gatishmëri për t’i zhvilluar ato”, është cituar të ketë thënë Lavrov në një konferencë për media, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Departamentin amerikan të Shtetit dhe Bashkimin Evropian për koment dhe është në pritje të përgjigjeve.
Deklaratat e kryediplomatit rus vijnë në një periudhë kur figura të rëndësishme në Kosovë, nisur nga presidentja Vjosa Osmani paralajmërojnë për rrezikun e ndikimit rus në rajonin e Ballkanit, ndërsa Serbinë e portretizojnë si “dorë të zgjatur të Rusisë” në rajon.
Serbia ruan marrëdhënie të ngrohta me Rusinë dhe është shteti i vetëm që nuk i ka vendosur sanksione Moskës për luftën e nisur në Ukrainë.
Analistë të çështjeve politike kanë përsëritur disa herë për Radion Evropa e Lirë se ndikimi ekonomik, dezinformimi dhe aftësia për të përfituar nga skemat e korruptuara, janë tri elementet kyç përmes së cilave Rusia e shtrin ndikimin në Ballkan dhe që Serbia e Republika Sërpska – entitet serb në Bosnje e Hercegovinë – janë më të rrezikuarat në rajon nga ndikimi rus, pasi në to mund të rritet sentimenti i nacionalizmit ekstrem.
Kurti: Serbia nuk mund t’iu thotë “jo” urdhrave të Kremlinit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë të martën gjatë një bashkëbisedimi të zhvilluar në Shtëpinë e Kosovës në Davos të Zvicrës se vendi ynë rrezikon të përballet me ndonjë pushtim nga Serbia për faktin se i ka 48 baza operative të avancuara rreth kufijve të këtij shteti.
“Por, nuk e besoj që do të ndodhë. Gjasat janë shumë të vogla. Përveç nëse Kremlini urdhëron diçka. Nuk mendoj se Beogradi guxon t’iu thotë ‘jo’ urdhrave të presidentit [rus, Vladimir] Putin për ta destabilizuar rajonin”.
Mes tjerash, Kurti e ka përmendur se Kosova “ka ushtri të fortë tash”, duke përmendur rritjen e numrit të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Është viti i tretë që shpenzojmë mbi 3 për qind të GDP-së [bruto prodhimit të brendshëm] për mbrojtje dhe definitivisht ata duhet të mendojnë dy herë para se të na bëjnë diçka neve. Kur mendon dy herë, nuk vepron shumë. Jam shumë optimist për periudhën në ardhje”.
Kur ka folur për vendet e rajonit, Kurti është ndalur te Bosnje-Hercegovina, duke thënë se situata tani është më e komplikuar për shkak të Republikës Sërpska – entitet serb – i cili ka lidhje direkte me Moskën dhe nuk e lejon Bosnjën që të përparojë.
“Është e vështirë të shohim se si do të zhvillohet situata… është mundësi e artë për Brukselin ta dëshmojë veten duke e afruar Bosnjën më afër rrugës së anëtarësimit në BE”.
Qasja e ShBA-së dhe BE-së ndaj Ballkanit
