Pasi dha dorëheqje nga posti i këshilltarit të kryeministrit të Sllovakisë, Miroslav Lajçak u deklarua për herë të parë vetë në një radio sllovake pasi iu publikuan mesazhet me abuzuesin seksual, Jeffrey Epstein.
Pasi i ishte shmangur mediave, duke dhënë vetëm deklarata me shkrim, Lajçak në një dha një intervistë për transmetuesin publik “Rádio Slovensko”.
“Sinqerisht nuk më kujtohen ato mesazhe”, i tha diplomati sllovak radios, duke iu referuar shkëmbimeve që përfshinin vajza. “Nuk mund t’i konfirmoj, por as nuk mund t’i mohoj.”
Pasi i lexoi përsëri mesazhet, ai shtoi se ndihej “si idiot”.
“Por kjo nuk më shfajëson nga përgjegjësia,” tha ai. “Tregova gjykim të dobët dhe komunikim të papërshtatshëm. Ato mesazhe nuk ishin gjë tjetër veçse veprime të pamenduara të egos mashkullore — biseda vetëkënaqëse mes meshkujsh”.
Lajçak tha se shkoi në Nju Jork në vitin 2017 për të marrë një post njëvjeçar në Kombet e Bashkuara dhe u prezantua me Jeffrey Epstein nga një diplomat i lartë i huaj. Sipas Lajçak, Epstein ishte i njohur gjerësisht dhe u takua me figura të shumta biznesi dhe politike nga SHBA-ja dhe jashtë saj.
Lajçak tha se nuk shihte asnjë arsye për të mos e takuar atë, duke argumentuar se krijimi i kontakteve ishte pjesë e punës së tij.
“Pse unë, një djalë nga Sllovakia, nuk duhet ta pranoj këtë?” tha ai. “Ai ishte një kontakt i vlefshëm”.
Ai tha se më vonë u vu në dijeni për dënimin e Epstein në vitin 2008 për një vepër penale seksuale, por vuri në dukje se shumë figura me ndikim vazhduan të shoqëroheshin me të më pas. Kjo, tha ai, e bëri të besonte se nuk kishte problem të bënte të njëjtën gjë.
