Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se deklarata e kryeministrit kroat, Andrej Pllenkoviq, se Serbia është në prag të një lufte civile, është “keqdashëse” dhe e “qëllimshme”, që sipas tij, synon ta dëmtojë imazhin e Beogradit në botë.
Pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, në Pekin, Vuçiq u tha gazetarëve se e “çudit fakti që disa qytetarë të Serbisë nuk e shohin këtë”.
“Nuk do të ketë asnjë luftë civile në Serbi. Serbia do të vazhdojë të rritet me shpejtësi të madhe”, tha Vuçiq më 2 shtator, kur u pyet nga gazetarët që të komentojë deklaratën e Pllenkoviqit.
Vuçiq tha po ashtu se Serbia “do të vazhdojë të jetë gjithnjë më e suksesshme pavarësisht përpjekjeve të mëdha të Kroacisë, si ato zyrtare ashtu edhe jozyrtare, jo vetëm që të mos përparojë, por edhe të kthehet në të kaluarën e largët, kur disa presidentë serbë i serviloseshin dhe u kërkonin falje atyre që përzunë serbët”.
“Ne do të vazhdojmë të shtrijmë dorën për Kroacinë pavarësisht të gjitha komentimeve të tyre keqdashëse dhe kurrë nuk do t’u dëshirojmë asgjë të ngjashme”, theksoi udhëheqësi serb.
Pllenkoviq një ditë më parë, në Forumit Strategjik të Bledit, kur foli për zgjerimin e Bashkimit Evropian, deklaroi se Serbia “është në prag të një lufte civile, me më shumë se dy vjet trazira dhe protesta të mëdha, më të fortat dhe më seriozet, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina është nën kërcënim të vazhdueshëm nga separatizmi”.
Në një deklarim më vonë për gazetarët, Pllenkoviq tha se qëllimi i deklaratës së tij ishte të ilustronte për publikun “që nuk ndjek të gjitha detajet e situatës në Serbi se si duket gjithçka, veçanërisht në muajt e fundit”.
“Mos mendoni se unë mbështes një skenar të tillë, po thjesht po e përshkruaj”, tha Pllenkoviq.
Lidhur me këtë deklaratë të Pllenkoviqit ka reaguar edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila ka thënë se “qëllimi strategjik i Kroacisë është të shpërthejë një luftë civile në Serbi”.
