Zvicra njoftoi se do të mbulojë shpenzimet mjekësore për viktimat italiane të zjarrit në Crans-Montana, duke u tërhequr nga kërkesa e saj fillestare për rimbursim nga Roma -një kërkesë që kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e kishte cilësuar si "të turpshme".
41 persona humbën jetën dhe 115 të tjerë u plagosën kur një zjarr përfshiu një lokal të mbushur plot gjatë festimeve të Vitit të Ri në vendpushimin zviceran të skive, Crans-Montana. 12 viktima italiane morën trajtim mjekësor në Zvicër gjatë javëve të para të vitit 2026, përpara se të transferoheshin në spitale në Itali.
Meloni e mirëpriti vendimin e Zvicrës për të mbuluar shpenzimet mjekësore në vlerë prej 1,5 milionë frangash zvicerane (1,9 milionë dollarë).
"Jam e kënaqur me këtë zgjidhje: asnjë barrë nuk do të rëndojë mbi familjet apo mbi Italinë”, deklaroi Meloni, shkruan Reuters.
"Mendimet e mia shkojnë, edhe një herë, për familjet e viktimave dhe të të rinjve të plagosur, të cilët po përballen me një dhimbje të jashtëzakonshme me dinjitet dhe forcë të rrallë", shtoi ajo.
