Për herë të parë në 36 vjet, Irani është në situatë ku duhet të zgjedhë një udhëheqës të ri suprem.
Kjo ka ndodhur vetëm një herë më parë, në vitin 1989, kur vdekja e themeluesit të Republikës Islamike, Ajatollah Ruhollah Khomeini, i ka hapur rrugë Ajatollah Ali Khameneit ta merrte drejtimin.
Khomeini vdiq nga shkaqe natyrore, ndërsa Khamenei u vra në ditën e parë të sulmeve të përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, më 28 shkurt.
Tani, Asambleja e Ekspertëve e Iranit, me 88 anëtarë, duhet të mblidhet në fshehtësi për të zgjedhur pasardhësin e tij.
Alex Vatanka, drejtor i Programit për Iranin në Institutin e Lindjes së Mesme me seli në Uashington, thotë për Radion Evropa e Lirë se kushdo që do të zgjidhet, do të zgjidhet mbi një kriter të vetëm: përshtatshmëria politike.
Sipas tij, Asambleja e Ekspertëve sot është një “organ që vetëm vulos vendimet”, ndërsa procesi udhëhiqet më shumë nga rrethanat sesa nga përgatitja e mëhershme e kandidatëve.
Ndër vite janë përmendur shumë emra si pasardhës të mundshëm të Khameneit, por, aktualisht, tre kandidatë konsiderohen favoritë kryesorë.
Mojtaba Khamenei: Zgjedhja nga dinastia
Djali i dytë 56-vjeçar i udhëheqësit të ndjerë suprem përshkruhet prej kohësh si “rojtar i portës”.
Megjithëse nuk ka mbajtur kurrë një post formal qeveritar, Khamenei i ri ka kaluar dy dekada në zyrë të babait të tij, duke koordinuar mes establishmentit klerik dhe Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Besohet se ai mbështetet nga IRGC-ja dhe se përzgjedhja e tij do të ishte vazhdimësi e politikës së të atit.
Mbështetësit, po ashtu, argumentojnë se afërsia e tij e madhe me aparatin e sigurisë, e bën atë kandidatin e vetëm të aftë për të ruajtur rendin, gjatë një konflikti aktiv.
Megjithatë, ngritja e tij në këtë post rrezikon të shkaktojë zemërim të brendshëm, sidomos mes mbështetësve kryesorë të Republikës Islamike.
Kritikët argumentojnë se lëvizja drejt “sundimit të trashëguar” bie ndesh me vetë rrënjët antimonarkiste të Revolucionit Islamik, të vitit 1979.
“Pamja që krijohet kur një djalë pason babanë e tij, ngjan disi me pamjen e një monarkie”, i tha Radios Evropa e Lirë në vitin 2024 Farzan Sabet, bashkëpunëtor i lartë në Shkollën e të Diplomuarve në Gjenevë.
Një anëtar i Asamblesë së Ekspertëve tha në vitin 2024 se Khamenei i vjetër e ka kundërshtuar idenë që djali i tij ta pasonte.
Për më tepër, edhe grada relativisht e ulët klerikale e Khameneit të ri, Hojatoleslam, është çështje debati.
Hetimet e fundit, përfshirë një raport të agjencisë Bloomberg, të publikuar në fund të janarit, nxorën në pah një sërë pasurish të paluajtshme të lidhura me Khamenein e ri, i cili që nga viti 2019 është nën sanksione të SHBA-së.
Raportet sugjerojnë se ai ka arritur të ruajë dhe të zgjerojë një rrjet global asetesh luksoze, përmes ndërmjetësve dhe kompanive fiktive.
Alireza Arafi: Zgjedhja e sigurt
Ajatollah Alireza Arafi, 67 vjeç, konsiderohet si “njeriu tipik i sistemit”.
Aktualisht, shërben në Këshillin e Përkohshëm të Udhëheqjes, me tre anëtarë.
