Këtë mëngjes, SHBA-të kryen një akt agresioni të armatosur kundër Venezuelës. Ky zhvillim shkakton shqetësim të thellë dhe meriton dënim, ka deklaruar Ministria e Jashtme e Rusisë në një deklaratë të lëshuar për ngjarjet e sotme në Venezuelë.
“Pretekstet e përdorura për të justifikuar këto veprime janë të paqëndrueshme. Armiqësia e ideologjizuar ka mbizotëruar ndaj angazhimit pragmatik, si edhe ndaj çdo gatishmërie për të ndërtuar marrëdhënie të bazuara në besim dhe parashikueshmëri”, thuhet në reagimin e Rusisë.
Venezuela është aleati më i rëndësishëm tregtar dhe ushtarak i Rusisë në Amerikën Latine.
Rusia tha se në këtë situatë është “thelbësore” që të parandalohet “përshkallëzimi i mëtejshëm” dhe shtoi: “të përqendrohemi në gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut”.
“Ne nisemi nga mirëkuptimi se të gjitha palët që mund të kenë ankesa kundër njëra-tjetrës duhet të kërkojnë zgjidhje përmes mekanizmave të bazuar në dialog. Ne jemi të gatshëm të mbështesim përpjekje të tilla. Amerika Latine duhet të mbetet një zonë paqeje, siç e shpalli veten në vitin 2014. Venezuelës duhet t’i garantohet e drejta për të përcaktuar fatin e saj, e lirë nga çdo ndërhyrje e jashtme shkatërruese – e lëre më ushtarake”.
