Zgjebja është rikthyer dhe po përhapet me shpejtësi në Itali. Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Italiane e Dermatologjisë dhe Sëmundjeve Seksualisht të Transmetueshme, në disa zona ka pasur një rritje prej 750% të rasteve në tre vjet.
Kjo po ndodh në rajonin e Lacios, ku sipas një studimi të botuar në Infectious Diseases of Poverty, shpërthimi ndodhi kryesisht midis viteve 2020 dhe 2023. Një rritje eksponenciale të rasteve e regjistroi në të njëjtën periudhë edhe qyteti i Bolonjës.
Zgjebja nuk është zhdukur kurrë plotësisht në botë, por vitet e fundit ekspertët kanë regjistruar një rritje dramatike të rasteve në Evropë në përgjithësi dhe në Itali në veçanti, ku janë regjistruar disa shpërthime në rezidencat e kujdesit social, shkolla dhe spitale.
Sipas studimeve një nga arsyet për këtë rritje të dukshme të rasteve është edhe rezistenca ndaj ilaçeve që përdoren më shpesh për të luftuar sëmundjen.
