I akuzuari për vrasjen e ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe, u shpall fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm të mërkurën, më shumë se tre vjet pasi kjo vrasje tronditi botën.
Të shtënat detyruan Japoninë që të shqyrtonte lidhjet e dyshuara mes ligjvënësve të njohur konservatorë dhe një sekti të fshehtë, Kishës së Unifikimit.
Gjykatësi Shinichi Tanaka shpalli dënimin në një gjykatë në qytetin Nara.
Tetsuya Yamagami, 45 vjeç, u përball me akuza përfshirë vrasjen dhe shkeljen e ligjit për kontrollin e armëve, pasi përdori një armë të prodhuar në mënyrë artizanale për të vrarë udhëheqësin më jetëgjatë të Japonisë, teksa Abe po mbante një fjalim në një tubim zgjedhor në korrik të vitit 2022.
Në nisje të gjykimit në tetor të vitit të kaluar, Yamagami e pranoi akuzën për vrasje. Megjithatë, sipas raportimeve mediale, ai mohoi disa nga akuzat e tjera.
Sipas sistemit ligjor japonez, gjykimi vazhdon edhe nëse i pandehuri e pranon fajësinë.
Prokurorët kërkuan që Yamagami të dënohej me burgim të përjetshëm, pasi e cilësuan vrasjen si “të paprecedent në historinë tonë të pasluftës”, duke theksuar se kjo ngjarje kishte “pasoja jashtëzakonisht serioze” për shoqërinë.
Versioni japonez i burgimit të përjetshëm lë të hapur mundësinë e lirimit me kusht, ndonëse në praktikë, sipas ekspertëve, shumë të dënuar vdesin teksa vuajnë dënimin.
Në hapjen e gjykimit, prokurorët argumentuan se motivi i të pandehurit për të vrarë Aben buronte nga dëshira e tij për të njollosur Kishën e Unifikimit.
