Në Shqipëri po vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale. Autoritetet shqiptare kanë njoftuar se janë skuestruar pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro, të dyshuara të përfituara nga të ardhura të paligjshme.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë, në vijim të punës për hetimin e pasurive që dyshohet se janë përfituar nga të ardhura të paligjshme, kanë evidentuar 2 raste, dhe pas regjistrimit të procedimeve penale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, kanë nisur hetimet konkretisht:
Në ngarkim të shtetasit K. Q., alias J. H., 43 vjeç, banues në Sarandë, me precedentë kriminalë në fushën e narkotikëve, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Lidhur me këtë rast, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me vendimin e datës 07.09.2025, i lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit, me datë 24.10.2025, ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë e këtij shtetasi, konkretisht:
Hotel 6-katësh, me 37 dhoma, sipërfaqe ndërtimi 248 m² për kat + garazh 440 m², në Sarandë.
Hotel 4-katësh, me 15 dhoma + lokal, sipërfaqe ndërtimi 160 m² + 80 m², në Sarandë.
Në ngarkim të shtetasit A. K., 53 vjeç, banues në Sarandë, me precedentë kriminalë në fushën e krimeve ndaj personit, trafiqeve dhe narkotikëve, si person i dyshuar për kryerjen e vepërs penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
