Një 14-vjeçar me rrënjë nga Kosova është bërë hero në Gjermani. Len Fejzullahu ka rrezikuar jetën e tij për të shpëtuar shokun e shkollës, kur u sulmua nga një person tjetër me çekiç.
“ Friedberger Allgemeine ” ka shkruar të hënën për rrëfimin e 14-vjeçarit që tregoi guxim të jashtëzakonshëm.
14-vjeçari po qëndronte në oborrin e shkollës me dy shokët e tij, kur një adoleshent iu afrua. Ai po mbante një çekiç si dhe ishte veshur me uniformë ushtarake.
“Fillimisht mendova se ishte i gomës dhe se po përpiqeshin të më bënin shaka”, ka rrëfyer 14-vjeçari. Por ajo që ndodhi pastaj nuk ishte aspak shaka. Dhe po të mos vraponte në ndihmë të shokut të tij dhe të rrezikonte jetën e vet, gjërat do të ishin edhe më keq.
Sulmi ka shokuar Friedbergun në Gjermani në mes të tetorit. Një 15-vjeçar pati sulmuar dy 14-vjeçarë pak para se të niste mësimi, duke e lënduar njërin prej tyre rëndë. Sulmuesi është në mbajtje nën akuzën për tentimvrasje dhe lëndim të rëndë. Hetuesit po mbledhin informata nëse bëhet fjalë për prapavijë ekstremiste.
Si ndodhi rasti?
Sulmuesi e kishte goditur njërin nga shokët e Lenit në kokë. Kur ai e sulmoi Lenin, 14-vjeçari arriti të shmangej dhe u godit vetëm në krah. Ndërsa një i tretë kishte ikur te hyrja e shkollës. “E pash shokun tim të shtrirë në tokë”, ka thënë Leni.
